Kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku ka pritur përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit e kompanisë kontraktuese CONIN për të definuar projektin për ndërtimin e Komunës.
Kryetari Demaku ka përshëndetur të pranishmit dhe ka falënderuar përfaqësuesit e Komisionit Evropian për realizimin e këtij projekti. “Ndërtimi i një objekti të ri të Komunës, ka qenë më se i nevojshëm. Kërkesa jonë ka qenë e vazhdueshme që ky projekt të finalizohet duke pas parasysh se objekti ekzistues nuk i plotëson nevojat e kërkuara që janë në shërbim të qytetarëve. Ne shpresojmë dhe kërkojmë që objekti të përfundon sipas planit dinamik të punimeve pa ndonjë vonesë”, ka thënë kryetari Demaku. Përfaqësuesi i Komisionit Evropian Luc Fuber ka falënderuar Komunën e Drenasit për lehtësirat që ka ofruar dhe ka kërkuar që gjatë implementimit të projektit të vazhdoj bashkëpunimi kooperativë. Kurse Diamant Kazazi Koordinator i këtij projekti ka specifikuar datat se kur do të përfundoj ndërtimi i Komunës. Ai ka thënë se brenda 18 muajve do të përfundojnë punimet në ndërtimin e Komunës së re të Drenasit. Në këtë takim merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e Ministrisë se Administrimit dhe Pushtetit Lokal si dhe udhëheqës të Komunës së Drenasit.
