Në kuadër të projektit për Zgjerimin e Shërbimit në Menaxhim të Mbeturinave të mërkurën janë shpërndarë edhe 100 kontinjer për ekonomi familjare në fshatin Damanek të Komunës së Drenasit, projekt ky që vazhdon të mbështetet nga organizata gjermane GIZ. Kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku thot se projekti do të vazhdoj deri në mbulimin e të gjitha fshatrave në menaxhim të mbeturinave.
Edhe 100 ekonomi familjare të fshatit Damanek të Komunës së Drenasit kanë përfituar nga projekti për Zgjerimin e Shërbimit në Menaxhim të Mbeturinave. Ky projekt është duke u realizuar nga Komuna e Drenasit, përkatësisht nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë në bashkëpunim me organizatën gjermane GIZ, kompaninë "Pastrimi", ndërsa organizata CEDE e ka bërë fushatën e vetëdijesimit në vendbanimet ku është zgjeruar shërbimi. Kryetari i Komunës së Drenasit, z.Nexhat Demaku ka falënderuar organizatën gjermane GIZ për bashkëpunimin që kanë për sa vite në projektin e Zgjerimit të Shërbimeve për Menaxhim të Mbeturinave. Kryetari Demaku ka thënë se ky projekt do të vazhdoj deri në shtrirjen e të gjitha lokaliteteve të Komunës së Drenasit. "Falënderoj mbështetësit e këtij projekti që bashkërisht me Komunën po e zgjerojnë shërbimin për menaxhim të mbeturinave, sidomos organizatën gjermane GIZ, dhe shpresojmë që ky bashkëpunim do të vazhdoj deri në shtrirjen e të gjitha lokaliteteve. Grupi Punues i këtij projekti është duke punuar dhe mendojmë që këtë vit të shtrijmë zgjerimin në secilin vendbanim që nuk është i mbuluar me shërbim, që Drenasi të këtë një ambient të pastër", ka thënë Kryetari Demaku. Gjatë realizimit të këtij projekti, drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë z.Hyrije Xhemajlaj-Thaqi, ka falënderuar edhe banorët e lokaliteteve që i janë përgjigjur pozitivisht pranimit të këtij shërbimi. Deri më tani zgjerimi i shërbimit për menaxhimin e mbeturinave është shtrirë në Komoran, Tërstenik I dhe II, Vërboc, Kishnarekë, Nekoc e Damanek, ndërsa në menaxhim janë edhe Drenasi I, II dhe III, fshati Shtrubullovë, Korroticë e Ulët, Zabel i Ulët, Gllobar, Poklek, Zabel i Lartë, Korroticë e Lartë dhe Krajkovë.