Shënohet Dita e Shkollës në Komoran. Në tubim morën pjesë dhe evokuan kujtimet e tyre veprimtarë dhe bashkëluftëtarët e k-nt Plakut, si Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, Kudusi Lame, Nait Hasani, Nexhat Demaku, Adem Demaçi, Azem Syla, Ramë Buja, deputetë e struktura tjera. Në 88-vjetorin e hapjes së shkollës në Komoran, sot u shënua edhe Dita e kësaj shkolle, ku u zbulua edhe busti i Xheladin Gashit –Plakut, emrin e të cilit me krenari e mban ky institucion arsimor. Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi ka theksuar se është krenari të festohet sot një ditë e tillë pas kontributit që dhanë shumë veprimtarë, ndër të cilët edhe Xheladin Gashi –Plaku, duke qenë njëri nga nismëtarët e formimit të UÇK-së dhe shokët e afërm të k-ntit legjendar, Adem Jashari. Plaku ka qenë anëtar edhe i Shtabit të Përgjithsëm të UÇK-së, i ngarkuar me furnizimin me armatim të UÇK-së. Veprimtari Adem Demaçi e ka quajtur Plakun burrë i fortë i Drenicës dhe i Kosovës, duke e parë për të mirë që nuk lejohet të harrohen këta emra të historisë sonë në kohën kur po vijnë gjenerata që kanë lindur pas luftës. Kryetari i Komunës, Nexhat Demaku tha se shkolla e Komoranit nderohet me emrin që mban, sot edhe me bustin e ngritur, kurse besoj se vitin tjetër objekti do të duket edhe më i bukur pas investimeve që presim së bashku me MASHT-in. Gjenerali Kudusi Lme nga Kuksi pohoi se Plaku ishte shok i pamohueshëm dhe luftëtar i pagabueshëm, duke qëndruar ditën e natën në krye të detyrës. Pa të tillë do të ishim zhbërë, do t’i takonim popujve të zhdukur tanimë. Emri dhe busti i Plakut është një trëndafil për shkollën. Ali Ahmeti, bashkëluftëtar i Plakut theksoi se jo rastësisht qe takuar me të në Divjakë të Maleve të Berishës, aty hartuam platformën për UÇK-në. Drejtori i shkollës, Ruzhdi Orana ka cekur se pas 17 vjetësh shkollës po i kthehet mësimdhënësi, më heret edhe vetë nxënës i saj, por tani në bronz. Për respektin që sot iu bë Xheladin Gashit –Plakut falënderoi djali i tij, Arsim Gashi, që ka shprehur besimin se këta do ta arsyetojnë emrin me punën dhe sukseset në mësim.
Derisa nxënësit e shkollës po shfaqnin programin e tyre artistik, gjeneral Kudusi Lamen e “tradhtoi” loti, i entuziazmuar nga pamjet e shkëlqyera të nxënësve gjatë interpretimit artistik.