Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, sot kanë vënë gurthemelin e mbikalimit për këmbësorë në fshatin Korroticë e Epërme në magjistralen M9. Qytetarët e pranishëm, e mirëpritën fillimin e ndërtimit të mbikalimit, pasi është projekt që do të rrisë sigurinë e tyre në komunikacion.
Kryetari Lladrovci ka falënderuar Ministrin Abrashi për bashkëpunimin korrekt të deritanishëm, derisa u theksua se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen në projekte më rëndësi për qytetarët e Drenasit.
Gjithashtu, me ministrin Abrashi u bisedua për projekte si anashkalimet pranë mbikalimit në Komoran, projekt i cili do të fillojë së shpejti, rrethrrotullimin në Tërstenik, zhvillim e projektit të rrugës me katër korsi Skenderaj-Drenas-Komoran, për mundësitë e përfundimit të rrugës së bregut të Qyqavicës, si dhe rrugët lidhëse me fshatra të komunave tjera por që kryejnë shërbime në Komunën e Drenasit.
