Zjarret, problemet me ujin e pijshëm dhe përgatitjet për provimin e maturës për nxënësit ishin temat që u trajtuan nga KKSB në takimin e sotëm. Një raport i zjarreve me të cilat u ballafaqua shërbimi i zjarrfikësve të komunës gjatë vitit 2011 dhe në pjesën e parë të këtij viti, paraqitur nga Ragip Nishori nga DShP dhe Emergjencë e komunës ka nxitur debatin për të ndjekur edhe vetë zjarrvënësit e qëllimshëm, ndaj të cilëve duhen marrë masa.
Probleme të theksuara janë adresuar edhe tek furnizimi me ujë të pijshëm për konsumatorët e kësaj komune. Shkalla e inkasimit u tha se është 52 përqind tek amvisëritë, ndërsa me pagesën e “Feronikelit” ajo rritet. Mirëpo, problem më i madh mbetet keqpërdorimi me ujitjet e tokave nga shpenzues të pandërgjegjshëm, ndaj të cilëve apelohet të merren masa, ka pohuar Ismet Baliu nga KUR Prishtina.
Provimi i maturës për nxënësit e Drenasit po afrohet dhe atyre iu bë apel që të jenë të kujdesshëm, se rregullat janë të prera, prandaj ata që nuk i respektojnë ato mund të largohen nga provimi, ceku Sadik Tahiraj nga Drejtoria e Arsimit.