Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik ndihmon fermerët e Komunës së Drenasit
Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik e Komunës së Drenasit me planin buxhetor për vitin 2011 ka paraparë përkrahjen e fermerëve në kultivimin e kulturave perimore në serra të mbyllura, ku më këtë rast fermerëve të cilët i plotësojn kriteret e parapara do t’u ndërtohen tridhjetë ( 30 ) serra me sipërfaqe prej një (1) ari.
Gjithashtu në projekt është paraparë që fermerët të participojnë me 20% të shumës totale, kurse 80 % të kësaj shume e subvensionon Komuna e Drenasit. Fermerëve do t’u ofrohen edhe këshilla profesionale përmes trajnimeve që do të organizohen. Duke pas parasysh kushtet klimatike që mbretrojnë tek ne, prodhimtaria e perimkulturave ka karakter sezonal si dhe sipërfaqet e ngritura në serra janë të vogla dhe nuk i plotësojnë as për së afërmi kërkesat e qytetarëve me perime, andaj e pamë të nevojshme që të investojmë në ngritjen e serrave ku do të mundësohet prodhimtaria e vazhdueshme dhe furnizimi i tregut me perime të freskëta gjatë tërë vitit. Edhe për nga aspekti ekonomik kultivimi i perimeve në serra paraqet mënyrën më intensive me ç’rast arrihen rendimente shumë të larta.
Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011, Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik ka planifikuar që të filloj edhe me implementimin e projektit për ngritjen e afro dhjetë hektarëve me pemishtë, si: mollë, dardhë, kumbull etj. Sipërfaqja që do të subvensionohet për fermerët është nga njëzet ( 20) deri në pesëdhjetë (50) ari.
Me këto projekte Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Ekonomik do të vazhdonë edhe në të ardhmen, me qëllim të përkrahjes së fermerëve të Komunës së Drenasit, që mendojmë se do të jetë një stimulim drejt zhvillimit të Bujqësisë intensiv në Komunën tone, ku ekzistojnë kushte shumë të volitshme pasi që kemi nën sistemin e ujitjes një sipërfaqe prej afro 5.600 ha.