Shtabi Emergjent i Komunës së Drenasit mban mbledhjen e radhës
Të martën është mbajtur mbledhja e Shtabit Emergjent në Komunën e Drenasit, ku anëtarët e Shtabit Emergjent kanë diskutuar për gjendjen aktuale të emergjencës shëndetësore.
Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, ka falënderuar anëtarët e Shtabit Emergjent, administratorët, policinë, stafin shëndetësor dhe gjithë qytetarët e komunës të cilët po i zbatojnë në përpikëri të gjitha masat e marra të komunës dhe ato të nivelit qendror.
Lladrovci sërish ka vlerësuar se bashkëpunimi i mirë mes të gjithë akterëve, është rezultat që deri më tani në Drenas fatmirësisht nuk është konfirmuar zyrtarisht asnjë rast me COVID-19. Ndërsa sa i përket, vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimet e reja të lëvizjes, ka theksuar se ato masa nuk janë hartuar në konsultim me komunat e Republikës së Kosovës. Lladrovci ka treguar para anëtarëve të Shtabit Emergjent se përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës, kanë reaguar lidhur me këtë vendim.
Në këtë mbledhje, anëtarët e Shtabit Emergjent kanë raportuar për gjendjen aktuale dhe marrjen e masave parandaluese të virusit COVID-19, po ashtu janë diskutuar edhe vendimet e fundit të nivelit qendror dhe është diskutuar pakoja emergjente për 2000 familje që do të ndahen javën e ardhshme pas përfundimit të procedurave të prokurimit për negocim. Unanimisht është vendosur që edhe këto 2000 pako të jenë të ngjashme me pakot që janë ndara më herët, pra me 18 artikuj, duke përfshirë edhe një thes me miell të 25kg.