Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja dhe kryetari i Komunës së Drenasit, z.Nexhat Demaku kanë ndarë çmimin vjetor për Shkollën Fillore “Rasim Kiçina”, çmim ky që i ndahet shkollës me mjedisin me të mirë shkollorë në Kosovë.
Në vlerësimin e Komisionit për shkollat e Kosovës me mjedisin me të mirë shkollorë është shpërblyer SHMU e qytetit të Drenasit “Rasim Kiçina". Me rastin e ndarjes së këtij çmimi, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, z.Ramë Buja ka thënë se Komisioni i MASHT-it këtë çmim e ndanë që dy vite me radhë dhe tani është bërë tradicional, ndërsa këtë vit Komisioni ka vendosur pas verifikimit të të gjitha shkollave në Kosovë se kjo shkollë mban ambientin me të pastër dhe me të mirë në vend. “Uroj që ky ambient të mbretëroj edhe për shumë vite të tjera”, ka thënë z.Buja. Ndërsa kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku ka falënderuar MASHT-in për vlerësimin e drejt që kanë bërë në ndarjen e këtij çmimi dhe u ka kërkuar mësimdhënësve të këtij institucioni dhe nxënësve që ta ruajnë ambientin e mirë që kanë. “Çmimi që ju sot merrni është një motiv më i madh për ta ruajtur këtë ambient të mrekullueshëm që keni, andaj duhet ta ruani” ka vlerësuar z.Demaku.