Të reshurat e fundit të borës në Kosovë, kanë vështirësuar qarkullimin në Komunën e Drenasit, mirëpo dy kompanitë e kontraktuara vazhdimisht kanë qendruar në teren dhe të gjitha rrugët tani janë të kalueshme.
Drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Hyrije Xhemajlaj-Thaqi ka thënë se të reshurat e fundit të borës kanë vështirësuar qarkullimin në rrugët e Komunës së Drenasit, mirëpo të gjitha janë të kalueshme. "Dy kompanitë e kontraktuara vazhdimisht kanë qenë në teren për të pastruar rrugët nga bora dhe tani të gjitha rrugët janë të kalueshme. Vështirësi në qarkullim ishin zonat më të thella malore, si në fshatin Gradicë, Abri, Tërdec, Gjergjicë dhe Negroc, por kompanitë e kontraktuara kanë qëndruar deri në orët e vona në këto zona dhe kanë larguar borën nga rruga", ka thënë drejtoresha Xhemajlaj-Thaqi. Për t’i pastruar rrugët prioritet fillimisht i është dhënë qendrës së qytetit, shtëpisë së shëndetit, qendrave të komunitetit, ndërsa prioritet të veçantë i është kushtuar rasteve me dializë ku gjithsejtë janë 30 përsona nepër vendbanime të ndryshme. Këtë vit Komuna e Drenasit ka kontraktuar dy kompani për mirëmbajtjen e rrugëve në sezonin dimëror më qëllim që t’i ofrohet qytetarëve një shërbim më efikas. Gjithsejt në territorin e Komunës së Drenasit janë pastruar 210 kilometra të asfaltuara, 55 kilometra rrugë lokale si dhe trotuaret në qytet.