Besojmë në pafajësinë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj
Ndalimi i ish kryeministrit Ramush Haradinaj, nga autoritetet e Interpolit francez, si pasojë e një urdhër arresti të vitit 2004, përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte e drejtë dhe në pajtim me normat ndërkombëtare, ndërsa pjesëtarët e saj nuk mund të kërkohen nga shteti që ushtroi dhunë dhe gjenocid të pashembullt ndaj Kosovës në fund të shekullit XX. Republika e Kosovës është e pavarur që nga 17 Shkurti 2008, ndërsa sovraniteti i ish Jugosllavisë ndaj shtetit më të ri në Evropë ka mbaruar më 10 Qershor të vitit 1999, dhe pas kësaj date, asnjë ingerencë e deriatëhershme, nuk vlen as për Republikën e Kosovës as për shtetasit e saj.