Kronika e mbrëmshme në emisionin qendror të lajmeve në RTK ka qenë edhe e njëanshme, edhe jo objektive derisa ka apostrofuar komunën e Drenasit për mosmarrjen pjesë në tubimin përkujtimor të organizuar nga fshati Çikatovë e Vjetër.
Ne po ia rikujtojmë se prononcimi zyrtar i gazetares, që ka marrë nga kryetari i Komunës me telefon ka pasur mbështetjen ligjore dhe nuk bëhet fjalë aspak për anashkalimin e këtij tubimi. Ju bëjmë me dije se komuna e Drenasit me Statutin e saj ka rregulluar datat përkujtimore nga koha e luftës së UÇK-së, si 28 –Shkurtin –që lidhet me Betejën e Likashanit e Qirezit dhe 14 Qershorin –Ditën e Çlirimit dhe të Përkujtimit të të rënëve në këtë luftë. Po ashtu, dje ishte edhe përvjetori i njërës nga masakrat më të rënda të luftës –ajo në Paklek, ku janë ekzekutuar dhe djegur 54 qytetarë, sikurse edhe është mbajtur manifestimi kulturor Sofra poetike “Ymer Elshani” në Shtëpinë e Kulturës në Drenas.
Komuna ka bërë homazhe tek varrezat e këtyre të rënëve në Çikatovë të Vjetër dhe Paklek.
RTK si medium publik, që vepron me paratë e qytetarëve, nuk duhet të shfrytëzojë plagët e familjeve që kanë pësuar nga lufta, por duhet të respektojë Kodin e gazetarisë objektive.
Ajo ka buxhet më të madh se vetë komuna jonë me 60 mijë banorë.
Luteni që këtë sqarim ta emitoni në emisionin e lajmeve qendrore të mbrëmjes.
Me respekt
Zyra për Informim e Komunës Drenas (18.04.2012)