Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, nxënësit e Shkollës se Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci”, kanë nisur mësimin në objektin e ri shkollor. Pikërisht në këtë ditë është bërë edhe përurimi i këtij objekti që ka kushtuar rreth 2 milion e 200 mijë euro. Një historik për shkollën e ka pasqyruar Drejtori i kësaj shkolle, Gani Krasniqi, i cili e quajti si dhuratë moderne arkitektonike. Ai ka thënë se deri më tani shkolla ka pasur me nga 55 nxënës në një klasë dhe me tri ndërrime, ndërsa tani janë të gjitha kushtet për mësim më cilësor. Objekti i ri ka 20 klasë mësimi, salla të kabinetit, të informatikës, dhe sallën e madhe të aktiviteteve sportive. Ndërsa Kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, ka thënë se këtë objekt të ri janë nxënësit dhe mësimdhenësit që do ta gëzojnë. “Një objekt i tillë arsimor i ka munguar Drenasit, kur dihet se kjo shkollë deri më tani ka mbajtur mësmin me tri ndërrime e me shumë nxënës në një klasë mësimi, por sot janë plotësuar kushtet për një cilësi më të mirë në arsim”, ka thënë Demaku. Ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka bërë përurimin e objektit dhe ka thënë se Qeveria dhe Ministria kanë menduar se dhurata më e mirë për nxënës e mësimdhënës është një objekt i tillë që ka qenë shumë i nevojshëm. “Sot me 1 shtator ku fillon viti i ri shkollor, për nxënësit e kësaj shkolle dhe mësimdhënës, kemi menduar se dhurata më e mirë është përurimi i këtij objekti modern. Ju lus dhe ju këshillojë ta ruani shkollën, sepse me ruajtjen e saj ju ngritni edhe më shumë vet emrin e këtij institucioni shkollor”, ka thënë Buja dhe ka shtuar se në këto anë dikur kumbonin të shtënat e lirisë, ndërsa sot daullet e gëzimit. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shaip Muja, ka thënë se Drenica do të ishte e varfër pa emrin e të madhit Fehmi Lladrovci, ndërsa pagëzimi i tij në këtë objekt do të jetë një frymëzim edhe më i madh për nxënësit. Me një program kulturo-artistik dhe me prerjen e shiritit u përmbyll përurimi i objektit të ri shkollor.