Me rastin e shënimit të 15 vjetorit, respektivisht 16 vjetorit të rënies së 21 dëshmorëve të UÇK-së dhe 36 martirëve në fshatin Negroc të Komunës së Drenasit është mbajtur tubim përkujtimor dhe është bërë përurimi i varrezave të dëshmorëve dhe martirëve të njësitit “Pëllumbi”.
Në këtë akademi përkujtimore, merrnin pjesë; kryetari i Komunës z. Nexhat Demaku, kryeparlamentari z. Jakup Krasniqi, zv/ministri dhe ish-komandanti i njësitit “Pëllumbi” z. Ferat Shala, deputet të Parlamentit të Kosovës, përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së z. Xhavit Jashari, familjar të dëshmorëve e martirëve si dhe qindra qytetarë të kësaj ane. Pas përurimit të Kompleksit Memorial “Pëllumbat e Lirisë”, Kryetari i Komunës Nexhat Demaku tha se ky vend në kohën e luftës ishte zonë e pathyeshme për armikun. “Pjesëmarrja juaj sot, tregon më së miri idealin e pathyeshëm të UÇK-së dhe gjithë qytetarëve që ishin pjesë e luftës së lavdishme. Sakrifica e popullit tonë ishte e shenjtë dhe do të mbetet e tillë, ajo nuk mund të thehet nga asnjë keqdashës që për qëllim kanë njollosjen e luftës së lavdishme. Sot të gjithëve na mungojnë ata që prehen në varreza, por duke kujtuar sakrificat jetësore të tyre ne vazhdojmë të ardhmen”, ka thënë Demaku duke shtuar se Komuna do të kujdeset për të mirëmbajtur këtë kompleks. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi tha se “sot po shënojmë këtë ngjarje të rëndësishme në vendin e idealit të lirisë, ku ky kompleks tregon një ndër dhimbjet me të mëdha të vendit tonë, njëherit edhe krenarin e vendit”, ka thënë kryeparlamentari Krasniqi. Ne emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, zv/ministri Ferat Shala tha se kompleksi memorial “Pëllumbat e Lirisë” e dëshmon sakrificën dhe lavdin e popullit tonë. “Drenica ishte frymëzimi i parë i luftës çlirimtare, ishin lëvizjet e para të armatosura të këtij vendi për t’iu kundërvënë armikut shekullor serb”. Ndërsa në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së të pranishmit i përshëndeti Xhavit Jashari dhe ne emër të familjeve të dëshmorëve Elmi Sopi. Në fund të kësaj akademie përkujtimore është dhënë edhe një program artistik. Njësiti “Pëllumbi” i dha lirisë së vendit 21 dëshmorë që prehen në këtë kompleks dhe kjo zonë e Negrocit gjithashtu dha 36 martirë të lirisë.