Me një akademi përkujtimore është shënuar 17 vjetori i Betejës së parë të Likoshanit dhe Qirezit ku merrnin pjesë kryetari i Komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, z. Rifat Jashari, nënkryetari i Komunës së Skenderajt, z. Fadil Nura, përfaqësues të Bashkësisë Islame në Drenas, të Policisë së Kosovës, të FSK-së, familjar të dëshmorëve, veteranëve e invalidëve të UÇK-së si dhe qindra qytetarë. Fillimisht për të shënuar këtë datë historike, Kryetari i Komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku dhe nënkryetari i Komunës së Skenderajt z. Fadil Nura të shoqëruar me drejtor të Drejtorive, kanë bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Likoshan, ndërsa më pas është mbajtur akademia përkujtimore në sallën e Kulturës në Drenas. Kryetari i Komunës së Drenasit me këtë rast tha se beteja e Likoshanit dhe e Qirezit është e para kur njësitet e UÇK-së ju kundërvyen forcave serbe. "Si sot para 17 vitesh, opinioni shqiptar, po edhe më gjerë u shokua nga dhuna serbe mbi banorë vendës shqiptarë të Likoshanit e Qirezit me rrethinë. Këto akte kriminale serbe morën peshë të veçantë më 28 Shkurt në fshatrat e drenicase Likoshan e Qirez, ku u zhvillua një betejë e ashpër midis njësisë të UÇK-së dhe milicisë e ushtrisë serbe deri tek ndërhyrja edhe nga ajri me anë helikopterësh. Shqiptarët u bënë një, duke u solidarizuar me dhembjen e familjeve të betejës së Likoshanit e Qirezit dhe arritën në ceremoninë nga më të mëdhatë të varrimit, me qindra e mijëra pjesëmarrës, që tronditi regjimin shtypës me homogjenitetin e shqiptarëve", tha mes tjerash kryetari Demaku. Drejtori i Kulturës, Rinisë e Sporteve nga Komuna e Skenderajt, z. Hajriz Koci paraqiti një historik të ngjarjes së 28 shkurtit të vitit 1998 i cili tha se lufta e lavdishme e UÇK-së dhe komandantit të saj legjendar, Adem Jashari, sublimoj dhe kurorëzoj gjithë përpjekjet tona liridashëse. Ndërsa një fjalim e ka mbajtur edhe ish-zëdhënësi i UÇK-së z. Jakup Krasniqi, kurse në emër të familjarëve foli Xhevdet Ahmeti. Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së foli Xhavit Dauti. Per të përmbyllur këtë Akademi përkujtimore të 28 Shkurtit, Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt paraqitën një program kulturor-artistikë.