Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, z. Sadik Tahiraj dhe Drejtori i Ndërmarrjes “NewCo Ferronikeli Complex L.L.C” në Drenas, nënshkruan marrëveshje për realizimin e praktikës profesionale me nxënësit e Shkollës së Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci”.
Planifikimi i realizimit të praktikës bëhet cdo të premte, në dy ndrrime. Nxënësit të cilët dërgohen për kryerjen e mësimit praktik janë të lëmive: makineri, elektroteknik, kimi-teknologji dhe metalurgji.
Kjo marrëveshje u vlerësua shumë e mirëseardhur nga Drejtori i Arsimit në Komunën e Drenasit, z. Sadik Tahiri, ku siç u shpreh ai nxënësit tanimë do të kenë mundësi të kombinojnë anën teorike dhe praktike në mësimet e tyre.
“Finalizimi i kësaj marrëveshjeje është një e arritur shumë e madhe për Drejtorinë e Arsimit në Komunën e Drenasit dhe veçanërisht për nxënësit e Shkollës Fehmi LLadrovci, ngase kjo do të rezultojë padyshim në një sukses shumë më të mirë për ta. Andaj falënderoj menaxhmentin e NewCo Ferronikelit dhe të gjithë të tjerët që kanë kontribuar drejt realizimit të kësaj marrëveshje”, u shpreh z. Tahiri.
Gjithashtu z. Tahiri, u shpreh optimist se edhe në të ardhmen nuk do të mungojnë projekte të ngjashme me Komunën e Drenasit e në veçanti me sektorin e arsimit.
Ndërkaq zv. drejtori i NewCo Ferronikelit, z. Gani Canolli tha se kjo marrëveshje është si rrjedh e bashkëpunimit të mirë që kemi ndërtuar me Komunën e Drenasit.
Më konkretisht z. Canolli tha se“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë edhe anën praktike dhe kështu do të jenë më të gatshëm për vazhdimin e studimeve të mëtutjeshme dhe gjithashtu do të aftësohen për hyrje në treg të punës”
Sipas z. Canolli marrëveshje të tilla nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen jo vetëm në sektorin e arsimit por në përgjithësi për të mirën e komunitetit të Drenasit.