Kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku së bashku me ministrin e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, z. Arsim Bajrami dhe ministrin e Administratës Publike, z.Mahir Yagcilar të martën kanë bërë përurimin e fillimit të punimeve në ndërtimin e infrastrukturës shkollore të shkollës "7 Marsi" në Kizhnarekë dhe renovimin e shkollës "Xheladin Gashi" në Komoran.
Më rastin e përurimit të fillimit të punimeve në këto dy objekte shkollore, kryetari Demaku tha se investimet në infrastrukturën shkollore janë kushte elementare për ngritjen e cilësisë tek gjeneratat e reja. "Më ndërtimin e infrastrukturës në shkollën e fshatit Kizhnarekë do të krijohen kushte moderne për zhvillimin e një procesi të mirëfilltë mësimorë, ndërsa me renovimin e objektit të shkollës së Komoranit do të plotësohen kërkesat dhe nevojat e nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj ane, ndaj Komuna në bashkëpunim me dy ministrit do të vazhdon në realizimin e projekteve për t’i përmirësuar kushtet në objektet shkollore", ka thënë kryetari Demaku dhe ka falënderuar ministrit për bashkëpunimin. Ministri i MASHT-it, z. Arsim Bajrami tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të përmirësuar kushtet në të gjitha shkollat e Kosovës. “Ne duam të krijojmë shkolla moderne. Ndërtimi i shkollave nuk është reformë në arsim. Reformë në arsim është ngritja e cilësisë dhe fakti që MASHT-i ka vendosur që t’ia dorëzojë komplet procesin e ndërtimit të shkollave Ministrisë së Administratës Publike tregon që ne dëshirojmë të investojmë në ngritjen e cilësisë”. Kurse ministri i MAP-it, z. Mahir Yagcilar është zotuar se me fillimin e vitit të ri shkollor 2015/2016 objektet do të jenë të gatshme për fillimin e procesit të mësimit. Kujtojmë se infrastruktura në shkollën e Kizhnarekës dhe renovimi i shkollës së Komoranit është në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit mes Komunës së Drenasit, MASHT-it dhe MAP-it ku pos këtyre dy projekteve që kanë filluar të realizohen do të ndërtohet edhe shkolla në fshatin Llapushnik, ndërtimi i infrastrukturës në shkollën e fshatit Gllobar si dhe renovimi i objektit në shkollën e fshatit Korroticë e Lartë.