Zyrtarisht janë nënshkruar 12 kontrata te reja për vendosjen e bizneseve në Parkun e Biznesit në Korroticë të Epërme. Nga këto biznese pritet të punësohen 260 punëtor sezonal. Kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku ka përgëzuar bizneset e reja që kanë marrë kontratat dhe ka shtuar se janë krijuar kushte të favorshme për secilin biznes që është vendosur në këtë zonë biznesore duke u mundësuar 24 orë pa ndërprerje energji elektrike.
Në shpërndarjen e 12 kontratave kanë marrë pjes përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, zyrtarët komunal dhe përfaqësues të bizneseve. Kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku ka thënë se nga nënshkrimi i këtyre kontratave presin rezultate të favorshme jo vetëm si Komunë, por nga përfitimet e këtij parku pret e gjithë Kosova. “Kur është ofruar edhe faza e fundit i këtij projekti, gjërat janë përmirësuar dukshëm dhe ka një dinamik të favorshme të punës. Kemi ofruar lehtësira për bizneset pasi që do të kenë 24 orë energji elektrike” ka thënë Demaku. Ndërsa Valdrin Lluka, kryeshef ekzekutiv për biznese të vogla dhe të mesme, ka sqaruar për bizneset përfituese se Parku i Biznesit është nje vend shumë i favorshëm për të krijuar biznes dhe ka treguar se me vendosjen e këtyre bizneseve do të punësohen 260 punëtor sezonal.
