Komuna e Drenasit ka miratuar buxhetin për vitin 2016 në mbledhjen e Kuvendit të Komunës dhe buxheti i përgjithshëm për vitin e ardhshëm është 12 milion e 710 mijë e 648 euro. Mbledhjen e Kuvendit e ka kryesuar, kryesuesi i Kuvendit, z. Naim Bazaj, ndërsa merrnin pjesë, kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku, drejtor të drejtorive komunale, anëtar të Kuvendit, përfaqësues të KFOR-it, OSBE-së, medieve, OJQ dhe qytetarë. Pikë e rendit të ditës ishte proces-verbali i mbledhjes të datës 29.07.2015, propozim-vendimi i buxhetit për vitin 2016 dhe projekt-rregullorja për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2016, që kjo e fundit është mbet të dërgohet për miratim në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit e cila do të mbahet në fund të këtij muaji. Pas diskutimeve të shumta dhe propozimeve nga anëtarët e Kuvendit është miratuar buxheti për vitin 2016 me 28 vota për, 2 kundër dhe 1 abstenim. Ndryshe buxheti komunal për vitin fiskal 2016 është miratuar në shumën prej 12 milion e 710 mijë e 648 euro, përkatësisht 4 për qind më i lartë se buxheti i këtij viti. Burimet kryesore të financimit do të jenë nga grandet qeveritare në shumën prej 11.210.648 euro, apo 88.20 për qind, ndërsa të hyrat nga burimet vetanake do të marrin pjesë në shumën prej 1.500 euro, apo 11.80 për qind e buxhetit total. Shikuar nga aspekti sektorial, sektori i përgjithshëm do të ketë shumën prej 5.551.358 euro, apo 43.67 për qind, sektori i arsimit buxhetin do ta ketë në shumën prej 5.727.442 euro, apo 45.06 për qind dhe sektori i shëndetësisë do ta ketë buxhetin në shumën prej 1.431.848 euro, apo 11.26 për qind. Vlen të theksohet se sektori i arsimit dhe i shëndetësisë behët fjalë vetëm për shpenzimet operative, ngase nga sektori i përgjithshëm do të reflektohet me buxhet në kategorinë ekonomike të shpenzimeve kapitale. Me vendimin e Kuvendit të Komunës është vlerësuar se kategoria ekonomike e shpenzimeve, pagave dhe mëditjeve do të marr pjesë ne buxhet me 61.32 për qind, mallra dhe shërbime së bashku me shpenzimet komunale do të marrin pjesë me 9.4 për qind, ndërsa shpenzimet e subvencioneve dhe investimet kapitale do të marrin pjesë me 29.65 për qind, apo në shumën prej 3.768.396.