Komunat partnere me organizatën gjermane GIZ; Drenas, Prishtinë, Mitrovicë, Pejë dhe Gjilan, kanë marrë pjesë në një vizitë studimore, katër ditore në Sofje të Bullgarisë me temën për Sistemin e Integruar për Menaxhimin e Mbeturinave. Delegacioni i Komunës së Drenasit është kryesuar nga Drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, znj.Hyrije Xhemajlaj-Thaqi, ndërsa në këtë vizitë studimore ishte edhe menaxheri i Kompanisë "Pastrimi", Muhamer Qela dhe përfaqësuesi i organizatës CEDE Visar Gashi. Qëllimi i kësaj vizite studimore ishte për shkëmbimin e përvojave mes Komunave partnere dhe Sofjes për Sistemin e Integruar në Menaxhimin të Mbeturinave. Gjatë këtij takimi, delegacionet e pesë Komunave kanë vizituar qendrën e trajtimit biologjik të mbeturinave ku janë njoftuar për procedimin mekanik dhe biologjik të mbeturinave për kompostim dhe po ashtu kanë vizituar edhe objektin e ndarjes së mbeturinave ne Sofje. Ne takimin me kryetaren e Sofjes, znj.Jordanka Fandakova ne emër të Komunave, Drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, znj.Hyrije Xhemajlaj-Thaqi ka prezantuar në mënyrë kronologjike procesin nëpër të cilin po kalojnë Komunat partnere me qëllim të gjetjes së një zgjidhje sa me të mirë për menaxhimin e mbeturinave. Vizita në Sofje të Bullgarisë është mundësuar nga organizata gjermane GIZ që për disa vite është partnere me Komunën e Drenasit për menaxhimin e mbeturinave, ndërsa delegacioni është pritur fillimisht nga Kryetarja e Sofjes, Jordanka Fandakova, pastaj nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Sofje, Shpend Kallaba dhe me zyrtarë të Ministrisë së Planifikimit dhe të Ujërave në Bullgari.