Kryetari i Komunës së Drenasit, z.Nexhat Demaku ka pritur ne një takim përfaqësuesit e Bashkimit Evropian me ç’rast i ka informuar për mundësit dhe kapacitetet që ofron zona ekonomike përball Parkut të Biznesit për ndërtimin e fabrikës së përpunimit të mbetjeve organike dhe atyre shtazore.
Kryetari Demaku tha se ajo pjesë ofron mundësit e një infrastrukture moderne, me kyçjen ne rrjetin e kanalizimit, të ujësjellësit, energjisë elektrike, dhe kyçjen në rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë. Përfaqësuesit e BE-së, janë ndarë të kënaqur me mundësit që ka ofruar Komuna për ndërtimin e kësaj fabrike. Pas takimit që kanë mbajtur përfaqësuesit e BE-së me kryetarin e Komunës, ata janë drejtuar edhe tek zona ku mendohet të ndërtohet kjo fabrikë. Ndërtimi i fabrikës së përpunimit të mbetjeve organike dhe atyre shtazore do të investohet nga Komisioni Evropian dhe vlera e tij kap shumën prej 8 milion eurove ne hapsirën prej 3 deri 4 hektar, ndërsa do të përkrahet nga Komuna e Drenasit, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Agjencioni i Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës. Fabrika do të këtë tri kapacitete prodhuese; energjinë elektrike, prodhimin e ushqimit për bagëtitë përmes mbetjeve organike dhe shtazore, si dhe përmes avullit do të mundësohet nxehja qendrore për të gjitha bizneset përreth fabrikës.