Në Drenas u mbajt manifestimi letrar tradicional, Sofra Poetike “Ymer Elshani” 2019 organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ne bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës. Në 20-vjetorin e rënies së shkrimtarit Ymer Elshani, ky manifestim shënoi dhe përurimin e kompletit të librave të tij.
Në fjalën e rastit kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci falënderoi të pranishmit dhe tha se ndihet i nderuar që në 20 vjetorin e rënies që të marrë pjesë në këtë manifestim dhe falënderoi drejtoreshën e Kulturës për bashkëpunimin me Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës dhe garantoi se ky manifestim do të ketë përkrahjen e vazhdueshme të Komunës. Kryetari Lladrovci falënderoi donatorët si dhe të bijën e shkrimtarit, Teutën, për kontributin e dhënë për këtë Sofër Poetike duke bërë të mundur që ky aktivitet të mbahet sipas planit të paraparë dhe për kontributin e ofruar që krijimtaria e shkrimtarit të përmblidhet në një komplet librash.
Në Sofrën Poetike, fjalë rasti për jetën, veprimtarinë letrare, për vlerat artistike e patriotike të shkrimtarit Ymer Elshani, për karakterin e tij human e për atdhedashurinë mbajtën, Shqipe Zogu, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Drenasit, Hysen Matoshi nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, Hasan Hasani, Nezir Prokshi ndërsa shkrimi i Astrit Bisqemit u lexua nga Fitore Prokshi. Ndërsa e bija e autorit Teuta porositi të pranishmit që ta duam vendin tonë dhe të mos lejojmë që asgjë të mos e zbehë dashurinë ndaj atdheut.
Në këtë manifestim kulturor u deklamuan 30 poezi të autorëve të ndryshëm. Juria në përbërje të Xhevahire Morinës, Ramadan Mehmetit dhe Ramë Oracës përzgjodhi për çmimin e tretë poezinë e autores Ramije Ukaj, për vendin dytë atë të Reisi Meçe, ndërsa vendi i parë i takoi Zeqir Bekollit. Çmimi special i Sofrës Poetike i takoi krijuesit Agim Berisha.

