Stafi i komunës së Drenasit në përbërje të nënkryetarit Gani Syla, drejtorë të drejtorive relevante dhe zyrtarë tjerë, përfaqësues të policisë, zjarrfikësve, degëve të Kompanive Rajonale të Ujësjellësit dhe Pastrimit si dhe të degës së të Kryqit të Kuq të Drenasit morën pjesë në seminarin tre ditor (2-4 prill) të organizuar me qëllim të informimit dhe orientimit për hartimin e Planeve Operative Emergjente Lokale në rast të rreziqeve nga fatkeqësitë e mundshme.
Seminari u mbajt në Prevallë nën organizimin e Agjencisë për Menaxhim Emergjent me përkrahje të UNDP-së në kuadër të projektit : “Ndërtimi i Sigurisë dhe Mirëbesimit përmes Zvogëlimit të Rrezikut nga Fatkeqësitë dhe përfshirjes së Çështjeve të Barazisë Gjinore”. Në seminar morën pjesë edhe përfaqësuesit nga komuna e Vitisë.
Në seminar u diskutuan shembuj konkretë të emergjencave me të cilat në të kaluarën janë ballafaquar komuna e Drenasit dhe ajo e Vitisë, u theksua rëndësia e hartimit të Planit Operativ Emergjent Lokal, planifikimi i duhur për emergjenca të ndryshme, analizën dhe vlerësimin e rreziqeve; rolet, detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga plani Operativ Emergjent Lokal për një koordinim të duhur në mes të pjesëmarrësve relevantë për përgjigje adekuate në rast të emergjencave eventuale.

