Në kuadër të forcimit të kapaciteteve institucionale për menaxhimin e emergjencave dhe fatkeqësive natyrore, është mbajtur punëtoria njëditore me temën “Ushtrimi në Tavolinë – me skenar për vërshimet”, e organizuar nga OSBE-ja në Kosovë, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe Komunën e Drenasit.
Në këtë punëtori morën pjesë nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala, drejtorë të drejtorive komunale, përfaqësues të drejtorive përkatëse, Njësisë së Zjarrfikësve në Drenas, të Stacionit Policor në Drenas, të KRU “Prishtina”, të KRM “Pastrimi”, të Stacionit të Autobusëve Sh.A., të KEDS-it, të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), të Qendrës për Punë Sociale (QPS), përfaqësues të Kryqit të Kuq të Kosovës si dhe OJQ “Ketrat”.
Qëllimi i punëtorisë ishte avancimi i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, forcimi i gatishmërisë për reagim ndaj situatave emergjente, si dhe përmirësimi i mekanizmave të komunikimit dhe vendimmarrjes në rast të fatkeqësive natyrore, me fokus të veçantë te vërshimet.
Gjatë punëtorisë, përfaqësuesit e AME-së prezantuan skenarin e përgatitur për simulimin e një situate emergjente të shkaktuar nga vërshimet. Përmes ushtrimit në tavolinë (TTX), pjesëmarrësit trajtuan situata të mundshme emergjente, duke diskutuar përgjegjësitë institucionale, koordinimin e veprimeve dhe masat që duhet të ndërmerren për mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe infrastrukturës publike.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkërendimi i veprimeve ndërmjet institucioneve lokale, shërbimeve emergjente, ndërmarrjeve publike dhe institucioneve shëndetësore e sociale, me qëllim sigurimin e një reagimi të organizuar dhe efikas në rast të vërshimeve.
Punëtoria përfshiu gjithashtu analizën e veprimeve dhe diskutimin e sfidave të mundshme gjatë menaxhimit të emergjencave, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe identifikimin e hapave të nevojshëm për përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional.
Komuna e Drenasit mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të bashkëpunimit me institucionet përgjegjëse dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim ngritjen e nivelit të gatishmërisë, parandalimin dhe menaxhimin sa më efikas të situatave emergjente, në funksion të sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.








