Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e gjashtë të rregullt për këtë vit të cilën e kryesoi nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi.
Të pranishëm ishin shumica e anëtarëve e KKSB-së, monitorues nga OSBE-ja dhe përfaqësues nga KFOR-LMT9.
- Procesverbali i mbledhjes së rregullt të KKSB-së të mbajtur më 24.10.2019;
- Diskutim lidhur me ecurinë e zgjedhjeve të fundit;
- Diskutim lidhur me çështje të ndryshme si rezultat i strehimit të personave të prekur nga tërmeti në Shqipëri;
Propozim nga KLSP Komoran
- Diskutim lidhur me shqetësimet e qytetarëve në lidhje me qentë endacak;
- Diskutim lidhur me orarin e mësimit në shkolla;
- Të ndryshme.
Procesverbali i mbledhjes së rregullt të KKSB-së të mbajtur më 24.10.2019 u miratua unanimisht pa vërejtje, ndërsa sa i përket pikës së dytë, diskutim lidhur me ecurinë e zgjedhjeve të fundit, i pranishëm ishte Burim Jonuzi nga KKZ Drenas i cili i njoftoi të pranishmit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe se gjatë procesit nuk ka pasur probleme dhe falënderoi Komunën për ofrimin e objektit për trajnimin e stafit.
Për pikën e tretë u tha se edhe në Komunën tonë pati të strehuara disa familje, detajet e të cilave u paraqitën në një raport të veçantë dhe se Komuna jonë ka marrë të gjitha masat e nevojshme sa i përket shkollimit të fëmijëve të atyre familjeve. U rekomandua që për raste të ngjashme të ekzistojë një koordinim më i mirë e po ashtu të thirret edhe mbledhja e KKSB-së.
Për pikën e katërt u raportua se kanë qenë dy raste të raportuara të sulmeve nga qentë endacakë. U tha se ky është një problem kronik dhe çdo zgjidhje e pjesërishme nuk ndikon në zgjidhjen e këtij problemi. Trajtimi i qenve endacakë është centralizuar dhe tani pas zhvillimi të proceduarve do të bëhet publik numri i operatorit ekonomik i cili do të merret me trajtimin e tyre dhe që qytetarët do të kenë mundësinë që ta thërrasin atë. U rekomandua që zyrtarët komunalë dhe policia ta ngritin këtë çështje në nivele me të larta në mënyrë që qendra ta ketë të qartë seriozitetin e problemit.
Për pikën e pestë, nënkryetari i komunës së Drenasit, Nazmi Hasi i njoftoi të pranishmit se vendimi për kohëzgjatjen e orës mësimore është përcaktuar nga MAShT-i, por që megjithatë drejtorët e shkollave e kanë mundësinë që të marrin vendime në përputhje me rrethanat e sigurisë së nxënësve. U rekomandua që aty ku ka mundësi mësimi të zhvillohet brenda një ndërrimi.
Për të ndryshme, si temë u paraqitën raportet e fundit për cilësinë e ajrit në Komunën tonë. U vlerësuan hapat e marrë nga Komuna për ndalimin e përdorimit të fishekzjarrëve dhe Plani Lokal i Veprimit për Cilësi të Ajrit dhe u rekomandua që të krijohet një grup i cili do të monitoronte zbatimin e planit të përmendur.