Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e dytë të rregullt për këtë vit të cilën e kryesoi kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Të pranishëm ishin shumica e anëtarëve e KKSB-së, dhe përfaqësues nga KFOR-LMTK9.
Pikat e rendit të ditës të cilat u diskutuan ishin:
1. Procesverbali i mbledhjes së jashtëzakonshme të KKSB-së të mbajtur me 12.03.2020;
2. Njoftim për masat e ndërmarra nga Komuna e Drenasit prej datës 13 mars deri më tani për parandalim të virusit COVID-19;
3. Të ndryshme.
Procesverbali i mbledhjes së rregullt të KKSB-së të mbajtur më 12.03.2020 u miratua unanimisht, pa verejtje.
Sa i përket pikës së dytë kryetari Lladrovci i njoftoi të pranishmit me veprimet e ndërmarra nga Komuna që nga data 13 mars, kur u shpall situata e emergjencës shëndetësore në Kosovë. Ndër të tjera, kryetari tha se komuna me kohë ka krijuar Shtabin Emergjent, pastaj Nënshtabet Lokale për të vazhduar pastaj me Qendrën Operative Lokale Emergjente. Sa i përket shërbimeve komunale, edhe pse me numër të reduktuar, qytetarët kanë marrë shërbimet e domosdoshme në Komunë.
Kryetari Lladrovci i njoftoi të pranishmit për edhe për masat e marra për përkujdesje nga Komuna dhe tha se nga buxheti komunal janë kontraktuar dhe shpërndarë 2600 pako ushqimore për familjet nevojtare. Gjatë kësaj kohe ka pasur edhe shumë donacione të ndryshme për të cilat i falënderoj publikisht për gjestin vullnetmirë të tyre, tha Lladrovci.
Gjatë kësaj kohe, policia ka qenë në nivel të detyrës dhe me përkushtimin më të madh kanë kryer detyrat e tyre. Edhe zjarrfikësit kanë pasur shumë punë duke qenë se ka pasur shumë zjarre të qëllimshme të cilat u kanë krijuar shumë vështirësi ekipeve zjarrfikëse duke pasur parasysh stafin në numër të vogël. Edhe Kompania Pastrimi, Ujësjellësi dhe shërbimet e KEDS kanë qenë në nivel të pritjeve dhe detyrave.
Për këtë pikë nga Bashkësia Islame fjalën e mori Beqir Thaçi. Ndër të tjera ai tha se si Këshill i Bashkësisë Islame janë përpjekur që krahas ndihmave në pako ushqimorë për qytetarët e Drenasit të përçojnë kërkesat dhe këshillat e IKSHP-së dhe OBSh-së.
Për pikën të ndryshme, Meriton Sopi, përfaqësues i Komunitetit Katolik shprehu pakënaqësinë që disa portale të njohura, me cdo kusht tentojnë të përfshijnë Kishën në Llapushnik në raste me konotacoine negative dhe kërkoi nga policia që të marrin masat e nevojshme dhe të kërkohet sqarim se pse po ndodh kjo.
Njëra ndër çështjet tjera të ngritura në takim ishte se ka rritje të vjedhjeve, gjë e cila u demantua nga policia në mënyrë statistikore. Për vite të tëra nuk ka pasur vjedhje kaq të vogla në numër, ndërsa për disa raste që kanë ndodhur jemi në përfundim të hetimeve, tha Feime Bajrami, komandante e Stacionit Policor në Drenas.