Mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi
Të mërkurën është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku ishin të pranishëm të gjithë anëtarët e këtij këshilli dhe përfaqësues nga LMT e KFOR-it Italian. Mbledhjen e ka kryesuar nënkryetari i Komunës së Drenasit, Arben Shala i cili edhe i ka prezantuar pikat e rendit të ditës.
Pikat e rendit të ditës të cilat u diskutuan ishin;
- Procesverbali i mbledhjes së rregullt të datës 05.02.2021
- Njoftim për situatën epidemiologjike në Komunën e Drenasit dhe vaksinimin e stafit shëndetësor
- Informim lidhur me masat e reja kufizuese dhe përgatitjet për mësimin në distancë
- Diskutim për qentë endacakë
- Të ndryshme
Procesverbali i mbledhjes së fundit të mbajtur me datën 05.02.2021 është miratuar pa vërejtje.
Për pikën e dytë, për njoftimin e situatës epidemiologjike në Komunën e Drenasit dhe vaksinimin e stafit shëndetësor dhe atyre të moshuar, ka informuar të pranishmit, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arsim Haxhiu, i cili ka thënë se për dallim nga komunat tjera, Drenasi qëndron më mirë në aspektin e të prekurve nga virusi covid-19, por megjithatë kujdesi duhet të jetë i shtuar në mënyrë që të parandalohet virusi. Ai ka thënë se është mobilizuar i gjithë stafi, përkundër disa vështirësive me stafin mungesë. Haxhiu ka thënë se që nga rastet e para të vitit të kaluar, deri më tani kemi të prekur 1692 persona, ndërsa aktiv deri më tani kemi 124 persona dhe të shëruar 1506 persona. Ndërsa sa i përket vaksinimit, ka thënë se QKMF-ja ka pranuar gjithsej 450 doza të vaksinës, 100 për stafin shëndetësor dhe 350 për të moshuar mbi 80 vjeç. 30 punëtor shëndetësor e kanë marr deri më tani vaksinën dhe 102 persona mbi 80 vjeç.
Për pikën e tretë, drejtori i Arsimit, Muhamet Gjoka ka informuar anëtarët e KKSB-së për masat e reja kufizuese dhe përgatitjet për mësimin në distancë. Gjoka ka treguar se ndonëse si komunë nuk janë pajtuar me masat e Qeverisë, megjithatë ato duhet zbatuar. Ai ka shtuar se ne të gjitha shkollat është duke u mbajtur mësimi online, ndërsa në ato nga klasa 1 deri në të 5 mësimi është duke u mbajtur në prani fizike.
Për pikën katërt lidhur me diskutimin për qentë endacak, ka treguar për gjendjen drejtoresha ee Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Lumnije Krapi.
Në secilën pikë, anëtarët e KKSB-së, kanë bërë pyetje dhe kanë diskutuar lidhur me situatën epidemiologjike, lidhur më problemet që po shfaqën më nxënës që nuk kanë mundësi të kyçen në mësimin online si dhe me problemet me qentë endacak.
Në pikën të ndryshme, janë diskutuar çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Komunës së Drenasit.