Kuvendi Komunal i Drenasit ka mbajtur mbledhjen e rregullt të premten dhe ka miratuar në parim dhjetë pika të rendit të ditës, një shtyhet për seancën tjetër. Në mbledhje të pranishëm ishin kryetari i Komunës, nënkryetari, kryesuesi, drejtor të drejtorive, këshilltarët komunal dhe qytetarë.
Mbledhjen e Kuvendit Komunal e ka hapur kryesuesi i Kuvendit, z.Naim Bazaj. Pas miratimit të rendit të ditës, këshilltarët kanë nisur diskutimet. Fillimisht është miratuar proces verbali i mbledhjes së kaluar, dhe me pas është miratuar me vota unanime raporti i punës janar-qershor i Kryetarit të Komunës. Kurse propozim-vendimi për emërtimin e rrugëve, rrugicave dhe vendeve tjera publike në Komunën e Drenasit nuk ka marrë votat e mjaftueshme për të kaluar dhe ka mbetur për mbledhjen e radhës. Propozim-vendimet për financimin e klubeve të sportit nga Komuna janë miratuar ne pako dhe ishin gjithsejtë 5 propozime për financimin e projektit të K.F “Feronikeli”, K.H “Drenica”, K.V “Drenasi”, K.V “Gryka” dhe klubi “Shahu”. Më pas në pikën e nëntë ka kaluar edhe raporti i Komisionit për Organizmin e Zgjedhjeve të këshillit të kryetarëve të fshatrave, lagjeve urbane të Komunës së Drenasit. Ndërsa është miratuar edhe propozim-vendimi për lirimin nga pagesa e qeras në emër të shfrytëzimit të pronës Komunale nga organizatat joqeveritare e po ashtu është miratuar edhe propozim-vendimi për lejimin e shfrytëzimit të mjeteve financiare për bashkëfinancimin e projektit “Tregu i Kafshëve”.