Është mbajtur mbledhja e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi në Komunën e Drenasit ku është diskutuar çështja e epidemisë së Tularemisë dhe migrimi, ndërsa merrnin pjesë të gjithë anëtarët e KKSB-së.
Mbledhjen e KKSB-së e ka kryesuar Kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku, ndërsa për pika të rendit të ditës ishin çështja e sëmundjes së Tularemisë dhe migrimi në Komunën e Drenasit. Anëtarët e KKSB-së, fillimisht i ka njoftuar drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arsim Haxhiu për sëmundjen e Tularemisë. Nga të dhënat që ka paraqitur është mësuar se gjithsejtë në Komunën e Drenasit janë paraqitur 17 raste të dyshuara me sëmundjen e Tularemisë. "Rastet janë marrë nga baza e shënimeve të Klinikës Infektive, ndërsa jo të gjitha rastet kanë rezultuar zeropozitive", ka thënë Haxhiu. Kurse nga shfrytëzuesit e skemës sociale të cilët kanë tërhequr mjetet financiare për ndihmë sociale me anë të autorizimeve gjatë vitit 2014 dhe muajit janar e shkurt të këtij viti e që kanë migruar jashtë vendit janë 23 veta. Pas prezantimit nga ana e drejtorit të Shëndetësisë, drejtori i Arsimit, Sadik Tahiraj ka prezantuar të dhënat e migrimit nga numri i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme. Gjithsejtë në Komunën e Drenasit janë 76 nxënës të cilët kanë migruar me familje, ndërsa 15 prej tyre nxënës të shkollave të mesme, kurse 6 prej tyre janë rikthyer dhe vazhdojnë mësimin e rregullt. Në mbledhjen e KKSB-së është vlerësuar lartë çështja e sigurisë, ku Komandanti i Stacionit Policor të Drenasit, Driton Morina ka treguar se që nga viti 2009 nuk ka ndodhur asnjë vrasje.