Mbahet konsultimi publik për Draft-Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Drenasit
Të premten, në sallën e Kuvendit është mbajtur konsultimi publik me qytetarë, për të diskutuar draft-Rregulloren Nr.01/2023 për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Drenasit, ku para të pranishmëve është prezantuar ky dokument strategjik i komunës për të rregulluar çështjen e menaxhimit të mbeturinave.
Takimin e konsultimit publik e ka hapur, Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, Bekim Dobra, ndërsa para të pranishmëve prezantimin e kësaj rregullore e ka bërë drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Lumnije Krapi e cila ka treguar synimet dhe objektivat e komunës për miratimin dhe zbatimin e kësaj rregullore komunale.
Në këtë takim, kanë marr pjesë shumë qytetarë ku edhe kanë dhënë komentet dhe sugjerimet e tyre në hartimin e kësaj rregullore. Për hartimin e këtij plani, është formuar Grupi Punues, ku edhe ka hartuar këtë draft dokument. Draft-Rregullorja për Menaxhimin e Mbeturinave ka qenë në diskutim publik nga data 11.01.2023 deri më datën 26.01.2023, në tri platformat, në ueb faqen zyrtare të komunës, në platformën për konsultime publike në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe në rrjetin social të komunës Facebook, po ashtu janë dhënë edhe e-mail adresat për të pranuar komentet dhe sugjerimet edhe në formën elektronike, ku të gjithë qytetarët kanë pasur mundësinë të japin komentet e tyre në hartimin e këtij dokumenti.
Rregullorja për Menaxhimin e Mbeturinave, pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Komunës së bashku me Planin Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave 2023-2027.

