Mbahet konsultimi publik për Draft-Planin e Veprimit për Transparencë në Komunën e Drenasit 2023-2027
Të hënën, në sallën e Kuvendit të Komunës, është mbajtur konsultimi publik me qytetarë, për të diskutuar draft-Planin e Veprimit për Transparencë në Komunën e Drenasit 2023-2027, ku para të pranishmëve është prezantuar ky dokument.
Hapja e konsultimit publik u bë nga Bekim Dobra, udhëheqës i Zyrës për Komunikim me Publikun në Komunën e Drenasit, i cili edhe ka bërë prezantimin e këtij dokumenti, ku ka treguar për synimet, objektivat dhe aktivitetet e komunës për miratimin dhe zbatimin e planit. Dobra tha se ky dokument, grupi punues e ka ndarë me gjithë qytetarët e Komunës, pasi ky dokument është i publikuar edhe në rrjetin social të Komunës, platformën e konsultimeve publike si dhe në ueb faqen zyrtare të Komunës.
“Plani i Veprimit për Transparencë është hartuar nga Grupi Punues i formuar me vendim të Kryetarit të Komunës dhe pjesë e grupit kanë qenë zyrtar të komunës. Të gjitha komentet dhe sugjerimet e dhëna, janë inkorporuar në këtë plan të cilin e keni para vetës dhe nëse keni ndonjë koment në do ta marrim parasysh dhe do t’i diskutojmë me anëtarët e grupit punues në takimin e fundit ku edhe do t’i diskutojmë komentet”, ka thënë mes tjerash Bekim Dobra.
Në këtë diskutim publik, kanë marr pjesë qytetarë, ku edhe kanë dhënë komentet dhe sugjerimet e tyre në hartimin e këtij plani.
Për hartimin e këtij plani, është formuar Grupi Punues i përberë nga Bekim Dobra, Altina Mulaj – Hajdini, Avdyl Mziu, Liridona Fejza-Ajazi dhe Arton Hasani, ku edhe ka hartuar këtë draft dokument. Draft-Plani i Veprimit për Transparencë në Komunën e Drenasit 2023-2027, ka qenë në diskutim nga data 02.02.2023 deri më datën 10.02.2023 në tri platforma, në ueb faqen zyrtare të komunës, në platformën për konsultime publike ne kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe në rrjetin social Facebook, po ashtu janë dhënë edhe e-mail adresat për të pranuar komentet edhe në formën elektronike ku të gjithë qytetarët kanë pasur mundësinë të japin sugjerime e komentet e tyre në këtë dokument.
Plani i Veprimit për Transparencë në Komunën e Drenasit, pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit të Komunës.

