Komuna e Drenasit, ka shënuar 14 Qershorin, Ditën e Çlirimit të Drenasit me shumë aktivitete solemne, kulturore e artistike. Aktivitetet kanë vazhduar deri në orët e vona me koncert festiv në sheshin “Fehmi e Xhevë Lladrovci”, ku është shfaqur një program festiv nga Ansambli i këngëve dhe valleve “Shota” dhe estrada e Kosovës.
Fillimisht Nënkryetari i Komunës, Gani Sylaj përshëndeti të pranishmit dhe ua uroj Ditën e Çlirimit të Drenasit. “14 Qeshori, Dita e Çlirimit të Drenasit, është ditë e rëndësishme e historisë dhe festë e madhe për qytetarët e tanë. Kjo datë shënon fundin e robërisë shumëshekullore dhe fillimin e jetës së re në liri. Kjo datë ka ardhur si rezultat i gjakut dhe sakrificave ndër breza të popullit tonë. Si rezultat i këtyre sakrificave ne sot mësojmë, punojmë e jetojmë të lirë. Sot që në mëngjes kemi vizituar varrezat e dëshmorëve tanë duke i nderuar ata me bindjen se amanetin e tyre do ta qojmë në vend, të vendosur për ta ndërtuar Kosovën e re” tha Nënkryetari Sylaj.
Pastaj në pjesën e parë artistike, me një përformancë të mrekullueshme është paraqitur Ansambli i këngëve dhe valleve “Shota”.
Mirëpo për shkak të reshjeve atmosferike pjesa e dytë e programit artistik u ndërpre për të vazhduar më pas.
Aktivitetet për Ditën e Çlirimit të Drenasit janë përmbyllur me finale e Turnirit Tradicional Memorial “Rasim Kiçina”.