Kuvendarët mbështetën deklaratën e Kryetarit Demaku për rishikimin e Vendimit për largimin e 85 punëtorëve
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Komunës së Drenasit, organi më i lartë legjislativ shtroi edhe problemin e largimit të këtyre punëtorëve, duke e quajtur jo serioz premtimin e menaxhmentit për të mbajtur numrin e punëtorëve të dhënë në takimin mes Udhëheqjes Komunale dhe Ministrit për Zhvillim Ekonomik.
Largimi i këtyre punëtorëve do të shkaktojë kriza sociale të 85 familjeve. Njëri nga shqetësimet më të mëdha të komunës së Drenasit aktualisht është fati i një numri afër 100 punëtorëve të larguar nga “Feronikeli”. Kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku ka shprehur shqetësimin e organit në krye të të cilit është lidhur me këtë akt të papranueshëm për komunën dhe punëtorët e larguar. Menaxhmenti i “Feronikelit” është vënë në krye të një mase joligjore ndaj të drejtave të punëtorëve të garantuar me Ligjin mbi Punën, duke i larguar njëanshëm e pa paralajmërim diku rreth 85 punëtorë të këtij metalurgjiku. Ne mendojmë se menaxhmenti është treguar tejet i papërgjegjshëm me këtë akt, duke ua mohuar të drejtën e punës dhe të ekzistencës këtyre punëtorëve. Si Komunë jemi anashkaluar tërësisht me një vendim të tillë të menaxhmentit të kësaj kompanie. Si komunë kemi trashëguar këtë problem edhe më herët sepse asnjëherë nga privatizimi i këtij prodhuesi nuk është bërë e njohur kontrata e shitblerjes dhe kushtet e saj, prandaj duket se edhe brenda saj ka burime ky problem. Arsyetimet nga ana e Menaxhmentit siç janë rritja e taksës për ushtrimin e veprimtarisë, rritja e tantjemes për eksploatimin e mineraleve, dhe rritja e çmimit të rrymës për kw janë të pa justifikueshme ndaj një vendimi për largimin e 85 punëtorëve nga puna.
Kuvendi i Komunës kërkon nga menaxhmenti i “Feronikelit” që vendimin për largimin e punëtorëve ta tërheqë në afat sa më të shkurtër dhe të njëjtit t’i kthejë në vende të punës.
Institucionet komunale do të jenë në mbrojtje të së drejtës së punëtorëve dhe do të angazhohen për mbrojtjen e ligjshmërisë në këtë çështje.
Kuvendi i Komunës kërkon nga menaxhmenti i “Feronikelit” që vendimin për largimin e punëtorëve ta tërheqë në afat sa më të shkurtër dhe të njëjtit t’i kthejë në vende të punës.
Institucionet komunale do të jenë në mbrojtje të së drejtës së punëtorëve dhe do të angazhohen për mbrojtjen e ligjshmërisë në këtë çështje.