Nga mjetet për investime kapitale kanë përfunduar disa projekte për asfaltim të rrugëve. Rrugët që kanë përfunduar janë në fshatin Baicë, Tërdec, Polluzhë, Tërstenik dhe Vasilevë, ndërsa janë duke u punuar edhe në dhjetra projekte tjera infrastrukturore. Vlera e këtyre projekteve arrin mbi 1 milon e gjysmë.
Komuna e Drenasit ka finalizuar disa projekte infrastrukturore të rrugëve, kanalizimeve e ujësjellësve që janë ne dobi të qytetarëve për të përmirësuar kushtet e tyre të jetesës. Duke u bazuar ne gjendjen ekzistuese ne vendbanime, projektet e mëdha të infrastrukturës janë duke shkuar drejt fazës përmbyllëse për t’i plotësuar kërkesat e banorëve. Kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku, gjatë inspektimit të punimeve në disa projekte që kanë përfunduar e të tjerat që janë në vazhdën e punimeve, ka thënë se Komuna është duke punuar me përkushtimin me të madh për të kryer të gjitha projektet që janë të planifikuara për këtë vit dhe disa prej tyre edhe me mbështetje të nivelit qendror e nga donacionet e ndryshme. Ai ka falënderuar edhe qytetarët të cilët kanë ndihmuar në implementimin e projekteve. Nga lista e projekteve të planifikuara për vitin aktual, ka përfunduar asfaltimi i rrugës në fshatin Baicë (lagja Leku) ne gjatësi prej 650 metra të vlerës 42 mijë e 716 euro, pastaj rruga në fshatin Tërdec e gjatësisë prej 800 metrave në vlerën 80 mijë euro, rruga e lagjes Istogu në Polluzhë 800 metra në vlerën 71 mijë e 740 euro, rruga në lagjen Bytyçi, Strumcaku e Kuçica në Terstenik ne gjatësi prej 900 metrave në vlerën prej 90 mijë eurove dhe asfaltimi i rrugës Tërstenik-Baicë ne gjatësi prej 1.2 kilometra në vlerë prej 120 mijë euro nga buxheti i Komunës. Këto janë vetëm disa nga projektet të cilat kanë përfunduar, ndërsa në vazhdën e punimeve janë edhe dhjetra projekte të tjera infrastrukturore që do të përfundojnë këto ditë, kurse edhe në gjashtëmujorin e dytë do të nisin edhe projekte të tjera për të përmirësuar infrastrukturën e banorëve ne lokalitete.