Kryetari Lladrovci uron 7 Marsin, Ditën e Mësuesit
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, më rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, ka uruar gjithë mësimdhënësit, duke kujtuar gjithë mësimdhënësit që në rrethana të rënda nuk u ndalën asnjëherë, por gjithmonë i qëndruan besnik misionit të tyre fisnik.
“Mësues, arsimtarë e profesorë të dashur, gëzuar Dita e Mësuesit!
Sot, në Ditën e Mësuesit, ju uroj të gjithëve të keni shëndet, suksese dhe punë të mbarë në misionin e shenjtë, edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja. Në këtë ditë të veçantë, kujtojmë me nderim të gjithë arsimtarët e shkollave të para në komunën tonë, arsimimit që në rrethana shumë të rënda kurrë nuk u ndal, të gjithë mësuesit që i qëndruan besnik arsimit kombëtar, mësuesit dëshmorë, veteranët e arsimit dhe arsimtarët që sot çdo ditë vijojnë betejën për dije të reja. Arsimi mbetet prioritet i qeverisjes time, duke dëshmuar suksese të nxënësve tanë, jo vetëm në nivelin vendor, por edhe atë ndërkombëtar. Ne kemi dëshmuar se përmirësimi i kushteve të punës, mjeteve të konkretizimit, ambientet adekuate dhe stafi profesional, do të sjellin rezultate të pamohueshme. Nderim i përjetshëm për mësuesit, arsimtarët dhe profesorët që kauzat për zënien e dijes dhe ndjenjën kombëtare i përcollën tek gjeneratat e reja dhe vijojnë të bëjnë punë të jashtëzakonshme për arsimimin e gjeneratave të reja”, ka uruar kryetari Lladrovci.