Gjatë ditës së djeshme kryetari Lladrovci ka pritur në takim investitorët potencialë Cristophe François Darbord, Joel Jacques Jean dhe Blerim Hoxha.
Takimi pati qëllim njohjen e ndërsjellë dhe shkëmbimin e informacioneve për aktivitetin ekonomik dhe për mundësinë e investimeve strategjike në Komunën e Drenasit. Kryetari Lladrovci u ofroi vizitorëve një dosje me tërë legjislacionin e nevojshëm për investime strategjike dhe i njoftoi vizitorët për mundësitë për investime, lehtësirat për investitorët e huaj dhe për qasjen pozitive që Komuna e Drenasit ofron për investimet e huaja serioze me interes strategjik.
Pas takimit, kryetari Lladrovci u dhuroi vizitorëve medaljonet e punuara nga anëtaret e QPDG-së dhe pastaj vizitorët bënë homazhe dhe vendosën buqeta me lule të freskëta pranë shtatoreve të heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci. Pastaj vizitat vazhduan në Prekaz, ku i priti Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe pasi bënë homazhe dhe vunë buqeta me lule të freskëta në kompleksin memorial, kryetari Jashari i njoftoi për historinë e familjes dhe luftën për lirinë e vendit.
Vizitat u përmbyllën me homazhet në Gllanasellë dhe me një drekë pune në ambientet e shtëpisë së kryetarit Lladrovci.