Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci bashkë me drejtorë ka pritur në takim koordinatorët e projektit “Komunat për të rinjtë” të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, dhe të Bankës Botërore për të diskutuar për progresin e deritanishëm të projektit në fjalë dhe aktivitetet e tjera që do të zhvillohen në muajt në vijim.
Ky projekt ku komuna është përfituese si shkak i përformancës së mirë i dedikohet të rinjve, përkatësisht financimin e granteve për të rinjtë e Drenasit.
Kryetari Lladrovci i falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar edhe njëherë se komuna është e përkushtuar që faza e zbatimit në terren të vijojë mirë dhe të finalizohet me sukses për të rinjtë tanë.
Ndërsa, Florentina Hajdari Hajra, koordinatore e projektit “Komunat për të rinjtë” nga Banka Botërore, falënderoi kryetarin për pritjen dhe bashkëpunimin, duke theksuar se në Drenas ka pasur interesim të madh të të rinjve dhe se procesi ka shkuar jashtëzakonisht mirë.
Kujtojmë se Drenasi është përzgjedhur përfitues i grantit në vlerë prej 250 mijë dollar që implementohet nga MAPL, administrohet nga Banka Botërore dhe mbështetet nga Qeveria e Japonisë përmes fondit Japonez për Zhvillim Social (JSDF).
Pas fazës së parë me sukses, do të vijoj faza e trajnimeve dhe hapja e thirrjes për grante.
