Kryetari Ramiz Lladrovci së bashku me drejtoreshën e Zhvillimit Ekonomik, Egzona Jetullahi, sot pritën në takim përfaqësuesit e Kompanisë Arkos, Francesco Perlangeli, Menaxher për Arkos dhe për R.I spa Italy dhe Belkize Asllanin- menaxhere për administratë dhe financa në Arkos.
Kryetari Lladrovci falënderoi përfaqësuesit e kompanisë Arkos për vizitën dhe i njoftoi ata për mundësitë që Komuna e Drenasit ofron për bizneset italiane që janë të interesuara të investojnë në Drenas si dhe për të gjithë investitorët e huaj dhe vendorë dhe për lehtësimet procedurale për këtë qëllim duke theksuar se Komuna e Drenasit përveç pozitës së favorshme gjeografike, ofron kushtet më të mira për biznes si dhe procedura të shpejta.
Përfaqësuesit e kompanisë Arkos falënderuan kryetarin Lladrovci për takimin dhe biseduan për rritjen e mundësive të bashkëpunimit në mes të bizneseve Italiane dhe atyre të Drenasit.
Kompania ARKOS LLC është një kompani kosovare, e themeluar në vitin 2012, e lindur nga ideja e Salvatore Tafuro kryesues i kompanisë italiane, R.I. Spa Modular Building. Kjo kompani gjendet në Parkun e Biznesit në Drenas ku zhvillon edhe veprimtarinë biznesore të saj.