Komuna e Drenasit, respektivisht kryetari Lladrovci gjatë ditëve të fundit ka pranuar ankesa të ndryshme për vonesat që po bëhen në ofrimin e shërbimeve pranë Qendrës për Pajisje me Dokumente në Drenas. Qytetarët e Drenasit i kanë adresuar shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre në drejtim të Komunës duke menduar që kjo Qendër është në menaxhim të Komunës së Drenasit.
Komuna e Drenasit është në dijeni se stafi i QPD, edhe pse është në menaxhim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe përkundër përkushtimit e vullnetit po bën përpjekje që tu dalë ballë kërkesave të shtuara të bashkatdhetarëve të cilat gjatë muajve të verës shtohen por që me kapacitetet aktuale po e përballon me shumë vështirësi e vonesa fluksin e shtuar të kërkesave.
Për këtë arsye, kryetari Lladrovci, në respekt të kërkesave të shtuara të bashkatdhetarëve tanë, sot i ka bërë kërkesë zyrtare (shiko dokumentin e bashkëngjitur) Ministrit të Punëve të Brendshme z. Ekrem Mustafa që marrë masat e nevojshme duke shtuar numrin e stafit, sidomos gjatë verës në mënyrë që bashkatdhetarët tanë në botën e jashtme të jenë në gjendje që të marrin shërbime cilësorë e brenda një kohe të arsyeshme.
