Kryetari Lladrovci diskuton me mikun nga Finlanda për bashkëpunimin në fushën e arsimit për vitin e ardhshëm
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, të martën në një takim virtual, ka diskutuar me mikun e tij nga Finlanda, shefin për arsim dhe njëkohësisht ushtruesin e detyrës së kryetarit të komunës së Laukës, Juha Tolonen.
Pas përmbylljes së periudhës së parë të mësimit, kryetari Lladrovci ka biseduar me Tolonen për bashkëpunimin në fushën e arsimit për vitin 2021 me shkollat finlandeze, ku komuna e Drenasit ka bashkëpunim për sa vite me shkollat e këtij vendi.
“Me zotëri Tolonen biseduam për bashkëpunimin e ngushtë që kemi në fushën e arsimit, në mes të komunës së Drenasit dhe komunës Lauka nga Finlanda, rëndësi të madhe gjatë bisedës i kushtuam organizimit të mësimit online dhe në distancë gjatë vitit 2020, koordinimit dhe planifikimit të ndërsjellë gjatë kohës së pandemisë. E falënderova Tolonen për mbështetjen e vazhdueshme, që është duke dhënë për shkollat e Drenasit dhe për gatishmërinë dhe përkushtimin e vazhdueshëm për thellimin e bashkëpunimit në mes të komunave tona. Edhe gjatë kohës së pandemisë bashkëpunimi, koordinimi, planifikimi dhe organizimi me Finlandën ka qenë shumë i rëndësishëm për arsimin në Drenas dhe për shkollat tona, gjë që ka rezultuar me organizim të mësimit mjaftë të mirë në rrethanat e krijuara. Vlerësuam bashkëpunimin e shumanshëm në mes të komunave tona, që nga viti 2017. Konstatuam gjithashtu, se shkëmbimi i përvojave tona me mësimin online, tash e disa vite ka qenë ndihmës e madhe për organizimin e mësimit online gjatë kohës së pandemisë. Me mikun tim Tolonen biseduam edhe për sfidat që kemi pasur për shkak të pandemisë gjatë këtij viti”, ka thënë kryetari Lladrovci.
Në këtë takim janë zotuar që edhe në vitin 2021 do të bashkëpunojnë ngushtë, si dhe do të intensifikojnë këtë bashkëpunim për të arritur rezultate sa më të mira në fushën e arsimit.
Lladrovci e ka ftuar Tolonen në konferencën ndërkombëtare që do të organizohet në Drenas, në shtator të vitit 2021, ku do të marrin pjesë nxënës, mësimdhënës, drejtues të arsimit nga Finlanda, Gjermania, Austria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës.
Tolonen ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar, thelluar dhe intensifikuar bashkëpunimin në fushën e arsimit ndërmjet komunës së Laukës dhe komunës së Drenasit.