Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa më stafin e tij përcjellës kanë vizituar të premten Komunën e Drenasit ku janë pritur nga i pari i Komunës, z. Nexhat Demaku dhe drejtor të Drejtorive.
Kryetari Demaku gjatë takimit që ka pasur me kreun e Qeverisë, z. Mustafa e ka njoftuar për të arriturat e Komunës në zhvillimin ekonomik të vendit, në shëndetësi, arsim, kulturë dhe fusha të tjera. Në theks të veçantë kryetari Demaku ka njoftuar Kryeministrin për zhvillimet ekonomike e bujqësore, ndërsa ka kërkuar nga niveli qendror që të vazhdojnë bashkëpunimin ndërinstitucional në realizimin e projekteve të përbashkëta si dhe bashkëfinancimin e projekteve që lidhen direkt në interes të qytetarit të Drenasit. "Me kryeministrin Mustafa biseduam për të arriturat dhe sfidat që ballafaqohet Komuna jonë dhe kërkuam nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë në mbështetjen e projekteve bashkëfinancuese dhe ato financuese, sidomos në zgjerimin e rrugës Drenas-Skenderaj, vazhdimin e punimeve për rregullimin e shtratit të lumit "Drenica", përmirësimin dhe rregullimin e sistemit të ujitjes për të krijuar kushte për një bujqësi intensive si dhe përkrahja në fushën e ekonomisë, sidomos në krijimin e zonës industriale përballë Parkut të Biznesit", ka thënë kryetari Demaku. Ndërsa kryeministri Mustafa tha se "ndjehem i kënaqur që gjendem sot në Komunën e Drenasit dhe shoh se kjo Komunë ka bërë punë shumë të mira në fushën e ekonomisë, arsimit, në fushën e infrastrukturës, sidomos ne ecurit pozitive tek Parku i Biznesit e cila gjeneron vende të reja të punës dhe mendoj se kjo Komunë meriton një përkrahje nga Qeveria dhe ne jemi të interesuar që të koordinohemi me nivelin qendror dhe atë lokal për zhvillimin e ekonomisë e bujqësisë, sidomos në zgjerimin e rrjetit të sistemit të ujitjes, sepse këtu kemi mbi 5 mijë hektar nën sistemin e ujitjes, por besojmë që do të zgjerojmë këtë", ka thënë kryeministri Mustafa. Kryetari Demaku dhe Kryeministri Mustafa kanë vizituar edhe objektin e Komunës së re të Drenasit, projekt ky i cili është financuar nga Komisioni Evropian.