Në qytetin e Drenasit kanë filluar punimet për asfaltimin e 14 rrugëve e rrugicave të cilat do të përmirësojnë infrastrukturën brenda qytetit. Kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku gjatë inspektimeve që ka bërë ka vlerësuar se investimet kapitale të planifikuara me buxhetin e Komunës janë duke shkuar sipas dinamikës se paraparë nga drejtoria e Urbanizmit.
Thuajse të gjitha lagjet e qytetit të Drenasit së shpejti do të behën më infrastrukturë të re. Janë duke u punuar 13 rrugë e rrugica në Drenasin I, II dhe III, ndërsa ka përfunduar një në lagjen urbane të Poklekut të Ri në gjatësi prej 550 metrave. Vlera e investimeve në këto projekte kapitale në lagjet urbane të qytetit janë mbi 200 mijë euro. Kryetari i Komunës, ka inspektuar për së afërmi këto punime dhe ka vlerësuar se këto investime kanë një rendësi të madhe për qytetarët e Drenasit. "Investimet kapitale të planifikuara për këtë vit me buxhetin komunal janë duke shkuar sipas dinamikës së paraparë nga drejtoria e urbanizmit. Këto rrugë ne lagjet urbane të Drenasit janë vetëm disa nga projektet që janë duke u realizuar në teren", ka thënë kryetari Demaku. Kujtojmë që kanë përfunduar punimet në asfaltimin e disa rrugëve dhe kanalizimeve në lagjet e fshatrave, rrugë në fshatin Godanc në gjatësi prej 550 metrave, në fshatin Shtuticë në lagjen Syla dhe Baliu në gjatësi prej 1200 metra, në fshatin Gllobar në lagjen Binaku në gjatësi prej 450 metra, në fshatin Polluzhë, lagjen Istogu në gjatësi prej 250 metra rrugë dhe 400 metra kanalizim si dhe shumë projekte të tjera të cilat janë duke u realizuar.