Pas nënshkrimit të marrëveshjes për kontratat kolektive, kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Nenad Rashiq, drejtori i Aleanca Kosovare e Biznesit, z.Agim Shahini dhe kryetari i Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, z. Haxhi Arifi kanë vizituar ndërmarrjen e “Ferronikelit” për t’u informuar rreth zbatimit të kontratave kolektive në këtë ndërmarrje.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Nenad Rashiq tha se “nënshkrimi i marrëveshjes kolektive është një ditë historike dhe e madhe me një rendësi për të gjithë punëtoret, ndërsa si model të zbatimit të kontratave kolektive kemi ardhur të vizitojmë ndërmarrjen e Ferronikelit që është kompania e parë që vizitohet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje”, ka thënë ministri Rashiq. Kryetari i Komunës së Drenasit, z. Nexhat Demaku ka vlerësuar këtë takim për prezantimin e kontratës kolektive pikërisht në ndërmarrjen e Ferronikelit. “Përmes kësaj marrëveshje për zbatimin e kontratave kolektive ne sektorin publik dhe privat, po krijohen standardet për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe përfituesit e kësaj marrëveshje janë punonjësit ku shpresojmë që kjo marrëveshje të zbatohet nga secila kompani dhe më vjen mirë që ndërmarrja e Ferronikelit është marrë si shembull”, ka thënë Demaku. Kurse drejtori i Aleancës Kosovare të Biznesit, z. Agim Shahini tha se kjo marrëveshje rregullon shumë mirë çështjen e punëdhënësit dhe punëmarrësit dhe sot jemi në Ferronikel për të prezantuar këtë marrëveshje që kryesisht bazohet edhe në Ligjin e punës, por kërkojmë që kjo marrëveshje të gjejë zbatueshmeri nga çdo ndërmarrje. Ndërsa Kryetari i BSPK-së, z. Haxhi Arifi marrëveshjen e ka quajtur kushtetutë për punëtoret që do të përfitojnë nga kjo. Drejtori gjeneral i ndërmarrjes së Ferronikelit, Ioannis Moutafis, tha se vizita në këtë kompleks për të prezantuar marrëveshjen është inkurajuese.