Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi, zv.kryeministri Hajredin Kuçi, ministri i Arsimit Ramë Buja, kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku dhe deputetet e Kuvendit, Fadil Demaku, Sala Berisha-Shala e Ramiz Lladrovci kanë takuar në Drenas mësimdhënësit e Komunës së Drenasit në darken tradicionale.
Kryetari i Komunës së Drenasit z.Nexhat Demaku, pasi ka falënderuar kryeministrin Thaçi, zv.kryeministrin Kuçi, ministrin Buja dhe gjithë të pranishmit, ka thënë se sakrifica e mësimdhënësve në Kosovë është vlera më e pasur e vendit që gjithë mundin e tyre e kanë dhënë për të pasur vlera të dijes. Demaku ka përmendur edhe arritjet që janë bërë në Drenas për të përmirësuar gjendjen ne arsim, ku janë ndërtuar 10 shkolla të reja, janë rinovuar 31 objekte shkollore, është instaluar ne disa shkolla teknologjia arsimore, janë subvencionuar studentë me bursa dhe është bërë edhe transporti i nxënësve ku ne total vlera e përgjithshme që nga viti 2008 deri me tani janë investuar mbi 7 milion euro. Ndërsa kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi para të pranishmëve ka treguar se është marrë vendimi për të ju njohur stazhi i punës për të gjithë punëtoret arsimor që kanë punuar nga viti 1990 deri në vitin 1999 dhe se pagesa do të behët në vitin 2015, ndërsa ka thënë se edhe pagesa e gjithë mësimdhënësve do të rritet. Kryeministri Thaçi ka thënë me bindje të plot se rritja tjetër e pagave pas asaj të vitit 2010 do të ndodhë në vitin e ardhshëm dhe kjo rritje do të jet meritore.
