Kanë përfunduar shtatë takimet me qytetarët e Komunës së Drenasit që janë mbajtur ne lokalitetet e ndryshme. Qytetarët kanë diskutuar prioritetet e tyre për vitet në vazhdim, ndërsa kërkesat e tyre kanë qenë fillestare për hartimin e listës së prioriteteve për vitin 2014.
Zyra e kryetarit të Komunës, z.Nexhat Demaku, në bashkëpunim me drejtorit Komunale, kanë përmbyllur fazën e parë të takimeve me qytetarët e Drenasit ne bashkësi lokale dhe zonat urbane. Në mbështetje edhe të OSBE-së, është hartuar fillimisht orari i takimeve ne lokalitete. Pjesëmarrësit në takime kanë diskutuar prioritetet e tyre për vitet 2014-2016. Nga diskutimet e pjesëmarrësve në takime, përfaqësuesit e Komunës, kanë marrë kërkesat e tyre dhe nga kërkesat fillestare edhe do të hartohet lista e projekteve kapitale për tri vitet e ardhshme. Mirëpo vlen të theksohet se të gjithë të interesuarit për të kontribuar në planifikimin e buxhetit komunal për tri vitet në vijim, kanë mundësin që çdo ditë punë të vijnë në Komunë me qellim që të nxirret një buxhet në interes të qytetarëve dhe lokaliteteve. Kjo mundësi u epet deri në fund të muajit shtator të vitit 2013. Vlerësimet fillestare lidhur me të hyrat publike për vitet 2014-2016 janë bazuar në Kornizën Afatmesme të shpenzimeve që posedon Komuna dhe qarkoren buxhetore 2014/01. Buxheti i Komunës për vitin 2014 është planifikuar të jetë 10 milion e 982 mijë euro, që nëse krahasojmë me buxhetin aktual (2013) do të ketë një rritje prej 1 milion e 365 mijë euro, apo 14,20 për qind. Në kategorinë e shpenzimeve kapitale është planifikuar të jetë 3 milion e 790 mijë euro. Në krahasim të shpenzimeve kapitale me vitin aktual (2 milion e 424 mijë euro) me planin e vitit 2014 do të këtë rritje të konsiderueshme, apo shprehur në vlerën financiare prej 1 milion e 365 mijë euro më shumë. Buxheti i Komunës do të këtë rritje në programin e shpenzimeve kapitale, ndërsa programet tjera komunale do të mbesin të njëjta.