Drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, znj. Hyrije Xhemajlaj-Thaqi ka nënshkruar pranimin e 650 kontinjerëve, gjegjësisht shportave familjare 120L, donacion i ardhur falë bashkëpunimit të mirë që ka kjo drejtori me organizatën GIZ-i gjerman. Përfitues të këtij projekti, përkatësisht të këtyre kontinjerëve do të jenë dy fshatra, fshati Nekoc dhe Damanek.
Drejtoresha znj. Xhemajlaj tha se "për ne si drejtori është shumë e rëndësishme që kemi pranuar këtë donacion dhe së shpejti do të fillojmë shpërndarjen e këtyre shportave familjare në fshatra që janë përfitues të këtij projekti. Kështu që shpresojmë që tani në këto dy fshatra nuk do të kemi deponi ilegale më qe qytetarët do të kenë shërbim derë me derë". Kryetari i Komunës, z.Nexhat Demaku, ka nënshkruar fundvitin që lamë memorandumin e bashkëpunimit më këtë organizatë deri në vitin 2016. Vlen të theksohet se Komuna e Drenasit, në kuadër të këtij bashkëpunimi ka përfituar 50 kontinjer 1.1m³ dhe 500 kontinjerë 120L që janë shpërndarë në fshatin Vërboc dhe Kizhnarekë. Paraprakisht fushatën vetëdijesuese e ka bërë organizata CEDE që ka pas një rol kyç në informimin për zgjerimin e shërbimeve dhe që është pranuar nga shumica e qytetarëve.