Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria e Urbanizmit në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Handikos-in, kanë ndërtuar gjashtë pjerrina në institucionet arsimore dhe shëndetësore për të lehtësuar personat me aftësi të kufizuara të kenë qasje të lirë në institucionet publike. Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Drenasit, z. Betim Berisha tha se ky është vetëm fillimi i implementimit të këtij projekti për krijimin e pjerrinave në institucionet publike, pasi që projekti për qasje të lirë për gjithë personave më aftësi të kufizuara do të vazhdoj në evitimin e të gjitha barrierave arkitektonike dhe përshtatshmërinë e të gjitha rrugëve, trotuareve dhe objekte të tjera publike qe ofrojnë shërbime për qytetarët. Ndërsa drejtori i Handikos-it, z. Behxhet Binaku ka falënderuar Komunën e Drenasit për krijimin e pjerrinave në institucionet publike. "Komuna e Drenasit po përmbush obligimet e veta ligjore në përshtatshmërinë e objekteve publike për personat me aftësi të kufizuara dhe premtimet janë që projekti do të vazhdoj edhe vitin e ardhshëm që në të gjitha vendet e frekuentuara të krijohen pjerrina për personat me aftësi të kufizuara", ka thënë Binaku. Pjerrinat janë ndërtuar në çerdhen e qytetit "Ardhmëria",, në shkollën fillore të Komoranit "Xheladin Gashi-Plaku", dy pjerrina në shkollën "Zenel Hajdini" në Tërstenik, në shkollën "7 Marsi" në Kizhnarekë dhe në Qendren e Mjekësisë Familjare në Komoran.