Njëri nga shqetësimet më të mëdha të komunës së Drenasit aktualisht është fati i një numri afër 100 punëtorëve të larguar nga “Feronikeli”. Kryetari i Komunës, z. Nexhat Demaku ka shprehur shqetësimin e organit në krye të të cilit është lidhur me këtë akt të papranueshëm për komunën dhe punëtorët e larguar. Ai thotë se menaxhmenti i “Feronikelit” është vënë në krye të një mase joligjore ndaj të drejtave të punëtorëve të garantuar me Ligjin mbi Punën, duke i larguar njëanshëm e pa paralajmërim diku rreth 85 punëtorë të këtij metalurgjiku.
Ne mendojmë se menaxhmenti është treguar tejet i papërgjegjshëm me këtë akt, duke ua mohuar të drejtën e punës dhe të ekzistencës këtyre punëtorëve. Ne si Komunë jemi anashkaluar tërësisht me një vendim të tillë të menaxhmentit të kësaj kompanie, pohon kryetari Demaku. Ai ka theksuar se edhe dje në Bordin e Drejtorëve kanë shqyrtuar këtë problem madhor për një numër të konsiderueshëm të qytetarëve tanë që me punë ishin në “Feronikel”. Ne si komunë kemi trashëguar këtë problem edhe më herët sepse asnjëherë nga privatizimi i këtij prodhuesi nuk është bërë e njohur kontrata e shitblerjes dhe kushtet e saj, prandaj duket se edhe brenda saj ka burime ky problem.
Ne kërkojmë nga “Feronikeli” që vendimin për largimin e këtyre punëtorëve ta tërheqë në afat sa më të shkurtër dhe të njëjtit t’i kthejë në vende të punës.
Kryetari Demaku ka përfunduar se komuna do të jetë në mbrojtje të së drejtës së punëtorëve dhe do të angazhohet për mbrojtjen e ligjshmërisë në këtë çështje.