Komunën e Drenasit në bashkëpunim me NewCo Ferronikeli dhe të përkrahur edhe nga Rrjeti CSR, shënuan sot Ditën e Tokës me mbjelljen e mbi 200 fidanëve në Drenas. Më konkretisht këto fidanë janë mbjellur në hapësirat e SH.F.M.U.“Halil Bajraktari,” në Drenas dhe në deponinë e Sukës.
Mbjellja e këtyre fidanëve ka kontribuar fillimisht në përmirësimin e pamjes së oborrit të shkollës e po ashtu edhe në vetëdijesimin e nxënësve dhe komunitetit të Drenasit në përgjithësi, për kujdesin ndaj mjedisit, u tha nga të pranishmit në këtë eveniment.
“Aktiviteti i sotëm është vazhdimësi e aktiviteteve tona strategjike që jemi duke i realizuar në bashkëpunim me Kompaninë NewCo Ferronikeli në të mirë të qytetarëve të Drenasit. Jemi shumë falënderuar për NewCo Ferronikelin që kanë krijuar një ambient të mirë dhe të pastër jo vetëm për nxënësit por edhe për qytetarët e Drenasit dhe jemi të gatshëm që të vazhdojmë edhe projekte tjera të përbashkëta”, u shpreh përfaqësuesi i Komunës së Drenasit z. Skënder Hasi.
Ndërkaq sipas drejtorit të SH.F.M.U. z. Gazmend Heta mbjellja e fidaneve është një gjest i vullnetit të mirë të NewCo Ferronikelit dhe Komunës së Drenasit që sipas tij ka kontribuar jo vetëm për një mjedis të pastër për nxënësit por edhe si aktivitet vetëdijesues për ruajtjen e mjedisit.
Edhe përfaqësuesit e NewCo Ferronikelit u shprehën mjaft të kënaqur që sadopak kontribuuan në shënimin e kësaj dite.
“Kontributi ynë në fushën e mjedisit tanimë veç është vlerësuar ndërkombëtarisht. Certifikimi me standardet ndërkombëtare dhe marrja e Lejes së Integruar janë dëshmitë më të mira që NewCo Ferronikeli përmbush të gjitha kriteret për ruajtjen e mjedisit” u shpreh Menaxheri i Përgjithshëm i NewCo Ferronikelit, z. Ioannis Moutafis
Ai po ashtu shtoi se “Jemi krenar që kemi kontribuar sadopak në krijimin e hapësirave të gjelbëruara për Ditën e Tokës në komunën e Drenasit. Mbjellja e këtyre fidanëve mbi të gjitha do të krijoje një ambient të mirë për gjeneratat e reja.
Ndërkaq përfaqësuesit e Rjetit të CSR që ishin edhe përkrahës të këtij aktiviteti potencuan që ky është një shembull i mirë që duhet të ndiqet edhe nga ndërmarrjet tjera private.
“Rrjeti CSR një prej përgjegjësive që e ka është edhe mbrojtja e mjedisit dhe çdo fidan që mbillet është shumë me rëndësi. Ky është një shembull i mirë nga NewCo Ferronikelit dhe besoj që do të ndiqet edhe nga të tjerët” tha Drejtori i Rjetit CSR, Gazmend Ahmeti.
Ndërmarrja NewCo Ferronikeli vazhdimisht përkujdeset për komunitetin e Drenasit duke realizuar projekte të ndryshme në të gjitha fushat e veçanërisht në fushën e mjedisit.