Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtorinë për Bujqësisë dhe Zhvillim Ekonomik në bashkëpunim me IADK-në kanë përkrahur gratë kryefamiljare në qytetin e Drenasit, me themelimin e një pike për përgatitjen e ushqimit për nxënës.
Përveç ushqimit të freskët dhe të zgjedhur, nxënësit e shkollës fillore “Rasim Kiçina” në Drenas, do të hanë edhe ushqim të shëndetshëm, të përgatitur nga gratë kryefamiljare që më herët nga IADK, kanë kryer trajnimin në përgatitjen e ushqimit. Është bërë përzgjedhja e 4 grave të cilat kanë shprehur interesim në hapjen e biznesit dhe krijimin e të ardhurave nga ky biznes. Prandaj, IADK së bashku me Drejtorinë e bujqësisë dhe zhvillimit ekonomik, kanë siguruar pajisjet e nevojshme për fillimin e këtij biznesit, kanë siguruar hapësirën në shkollë si dhe kanë bërë renovimin e kuzhinës. Ky grup i grave kanë filluar një punë të suksesshme me nxënësit e kësaj shkolle, falë përkrahjes së drejtorit dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle, të cilët i kanë informuar nxënësit për të mirat e konsumimit të ushqimit të freskët dhe të zgjedhur që përgatitet aty. Prandaj, gjatë qëndrimit në shkollë, tani ata zgjedhin të konsumojnë këto ushqime. Përveç ushqimit për nxënës, ky grup i grave synojnë të përgatisin ushqime me porosi edhe për ngjarje të ndryshme.