Tetë vjetori i Pavarësisë së Kosovës është festuar me shumë aktivitete edhe në Komunën e Drenasit. Fillimisht, kryetari i Komunës Nexhat Demaku i shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit Naim Bazaj, drejtor të drejtovie dhe shoqatat e dala nga lufta, kanë bërë homazhe tek lapidari i Dëshmorëve ne Drenas dhe në kompleksin e Jasharajve në Prekaz, pastaj është mbajtur edhe seanca solemne. Pas përmbylljes në pjesën e homazheve, është mbajtur seanca solemne për nder të shënimit të tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast, kryetari i Komunës, Nexhat Demaku në fjalimin e tij tha se 17 shkurti i vitit 2008 i është bashkëngjitur shënimeve me të rendësishme të historisë së popullit shqiptarë që edhe kjo datë u bë sinonim i arritjeve që përfaqësojnë përpjekjet e vazhduara të popullit të Kosovës në luftën e tij të pandalur me sakrifica të panumërta për berjën e shtetit të tij. "Lufta e popullit tonë për liri e pavarësi nuk ka pushuar asnjëherë, duke marrë përmasa të mëdha në shumë përiudha të ndryshme historike, por ajo kulmoi me luftën e UÇK-së e udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari. UÇK-ja ishte organizimi më i mirë dhe më i fuqishëm i shqiptarëve të Kosovës, duke bërë luftë të drejtë e çlirimtare, ku ranë dëshmorë shumë komandant e luftëtarë të shquar, ku u vranë e zhdukën shumë civilë dhe mbetën shumë invalid të luftës, por duke arritur të gjithë së bashku synimet tona shekullore, çlirimin nga pushtuesi dhe bërjen e Kosovës shtet të pavarur", tha kryetari Demaku. Ndërsa kryesuesi i Kuvendit, Naim Bazaj tha se i gjithë populli i Kosovës ndanë së bashku ndjenjën e krenarisë dhe patriotizmit, por edhe kujtimin për të gjithë ata që na ndihmuan në këtë rrugëtim të gjatë, që dhanë jetën e tyre dhe që janë më meritoret që ne sot jemi këtu. "Ne sot kujtojmë sakrificën e ushtarëve të UÇK-së dhe komandantëve te saj, kujtojmë komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen Jashari, Fehmi Lladrovcin, Bedri Shalën, Rasim Kiçinën, Ismet Jasharin e shumë e shumë të tjerë. Por është shumë e padrejt që sot nuk gjinden me ne, por në burgje padrejtësisht, Sylejman Selimi, Sami Lushtaku, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, vëllëzërit Kiçina e Ramadani dhe shumë te tjërë, por kjo padrejtësi neve nuk duhet të na ndalë, sepse kemi shumë detyra në angazhimet tona drejt arritjes së qëllimeve madhore për forcimin e shtetit tonë tani të pavarur", ka thënë Bazaj. Ne emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, seancën e ka përshendetur Enver Hajdari. Pas përmbylljes së seancës solemne, kanë vazhduar aktivitetet tjera sipas agjendes. Paraprakisht të martën është mbajtur turniri në futboll të vogël me ekipet institucionale dhe futboll i madh, ndërsa pas homazheve dhe seancës solemne është mbajtur turniri në volejboll (F) dhe programi artistik në sheshin e qytetit "Fehmi Lladrovci".